Serwer: Pa njohjen e Kosovës, Serbia s’mund të hyjë në BE

Serwer: Pa njohjen e Kosovës, Serbia s’mund të hyjë në BE

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa i normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, gjë që, sipas tij, nënkupton njohjen e Kosovës dhe shkëmbimin e ambasadorëve mes dy vendeve.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer ka deklaruar se kushtëzimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është i qartë për vendet anëtare të BE-së.

“Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas meje do të thotë ta njohë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën”, ka thënë Serwer.

Gjatë diskutimit, Surroi ka theksuar se ky qëndrim është i shkruar si politikë zyrtare vetëm në Washington, ndërsa ka rikujtuar se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Serwer ka thënë se të paktën pesë shtete të tjera anëtare të BE-së nuk do ta pranonin Serbinë në Union pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Surroi ka vlerësuar se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Serwer ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që kushtet ndaj Serbisë të përsëriten vazhdimisht, pasi, sipas tij, ato janë të qarta prej kohësh. Ai ka shprehur më shumë shqetësim për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Kosova po përballet me një të ardhme më të vështirë sesa e kaluara, pjesërisht edhe për shkak të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kam nevojë të shkruaj dhe të bërtas kushtet, sepse mendoj se kushtet kanë qenë prej kohësh shumë, shumë të qarta. Jam shumë më i shqetësuar për atë që thua për Kosovën dhe mungesën e përparimit të saj drejt Këshillit të Evropës dhe drejt kandidaturës. Atje, mendoj, e di, përballeni me një të ardhme shumë më të vështirë se e kaluara. Dhe është më e vështirë pjesërisht për shkak të amerikanëve”, ka thënë ai.

Share This