
Trump mbron deklaratën e SHBA-së, Kinës dhe Rusisë që dënon Gjykatën Penale Ndërkombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vlerësuar deklaratën e përbashkët të nënshkruar me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, përmes së cilës tri fuqitë e mëdha kritikojnë dhe kundërshtojnë ashpër Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump e cilësoi autoritetin e gjykatës me seli në Hagë si të pabazë dhe të ekzagjeruar.
“Ata kanë këtë pushtet të rremë, sepse nuk kanë asnjë forcë reale pas vetes. Është një pushtet i rremë dhe mendojnë se mund të ndërhyjnë e të arrestojnë krerët e shteteve, por nuk munden ta bëjnë këtë… prandaj ne e dënuam këtë gjë si grup”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Deklarata e përbashkët u miratua më 19 nëntor 2026 në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të parë historik trepalësh mes Trump, Xi dhe Putin, i zhvilluar në margjinat e takimit të APEC-ut. Dokumenti me katër pika, i titulluar “Deklarata e Krerëve të Shteteve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës drejt Paqes”, përcakton në radhë të parë rëndësinë parësore të parimit të pëlqimit të shteteve dhe respektimit të imunitetit të zyrtarëve shtetërorë, duke nënvizuar se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të ngjashme “nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre”.
Përveç qëndrimit ndaj gjykatave ndërkombëtare, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja, Rusia dhe Kina zotohen të reformojnë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për ta bërë atë më efektive ndaj sfidave globale. Në të njëjtën kohë, tri vendet rikonfirmojnë se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”, duke rënë dakord për dialog mbi uljen e rreziqeve bërthamore, si dhe për garantimin e flukseve të qëndrueshme energjetike.
Qëndrimi i përbashkët vjen në një moment kur secila prej tri vendeve ka arsye të drejtpërdrejta për të kufizuar kompetencat e gjykatës ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara, nën administratën Trump, kanë vendosur sanksione të gjera ndaj zyrtarëve dhe prokurorëve të GJPN-së pas lëshimit të urdhër-arresteve ndaj udhëheqësve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, për luftën në Gaza, duke u zotuar se do ta shpërbëjnë gjykatën “tullë pas tulle”.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin është objekt i një urdhër-arresti aktiv nga GJPN-ja që prej marsit të vitit 2023, nën akuzat për krime lufte lidhur me dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas. Ndërkohë, ashtu si SHBA-ja dhe Rusia, Kina nuk është palë e Statutit të Romës — traktati themelues i GJPN-së — dhe kundërshton çdo ndërhyrje të gjykatave ndërkombëtare në çështjet e sovranitetit shtetëror.
Ky bashkëpunim diplomatik mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës ka ngjallur shqetësim te aleatët perëndimorë, veçanërisht në Evropë dhe Japoni, të cilët janë mbështetës të fortë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe të rendit ligjor ndërkombëtar. /rtsh/

