Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel

Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel

Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.

Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin e katërshes së UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë moral, duke theksuar se institucionet po angazhohen për korrigjimin e tij në shkallën e Apelit.

Sipas Kurtit, grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë, me synimin e bashkërendimit të mbështetjes juridike dhe institucionale gjatë procedurave të Apelit.

“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se themelimi i grupit synon konkretizimin e angazhimit të Qeverisë për drejtësi dhe mbrojtjen e historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë Kurti.

Share This