NATO rrëzon dronin pas hyrjes në hapësirën ajrore të Lituanisë

NATO rrëzon dronin pas hyrjes në hapësirën ajrore të Lituanisë

Avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron që hyri gjatë natës në hapësirën ajrore të Lituanisë, njoftoi presidenti lituanez Gitanas Nausėda. Incidenti ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të aleancës, në një kohë kur Rusia vijon agresionin ndaj Ukrainës dhe rastet e dronëve që kalojnë kufijtë e vendeve evropiane janë shtuar. Sipas autoriteteve lituaneze, droni dyshohet se hyri në territorin e vendit nga Bjellorusia, pak pas mesnatës së të martës, në jug të Lituanisë, pranë Kaunasit, qytetit të dytë më të madh të vendit. Origjina dhe qëllimi i dronit nuk janë përcaktuar ende.

“Aktiviteti i një droni që sapo hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë u neutralizua nga avionët luftarakë të NATO-s”, deklaroi Nausėda në një postim në rrjetin social X. Ministria lituaneze e Mbrojtjes tha se forcat e armatosura të vendit dhe pilotët italianë që shërbejnë në misionin e NATO-s për mbrojtjen ajrore reaguan shpejt ndaj incidentit.

Më herët, banorët e Vilniusit dhe zonave përreth morën në telefonat e tyre paralajmërime për një depërtim të mundshëm të një droni. Mesazhet u kërkonin qytetarëve të gjenin një vend të sigurt dhe të qëndronin aty deri në dhënien e sinjalit se rreziku kishte kaluar. Presidenti Nausėda theksoi se gatishmëria për raste të tilla është veçanërisht e rëndësishme për rajonin, duke pasur parasysh intensifikimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. “Së bashku me aleatët tanë në NATO, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, tha ai. Deri tani, Moska nuk ka bërë ndonjë koment publik lidhur me incidentin.

Lituania ka një kufi të gjatë në pjesën jugore dhe lindore me Bjellorusinë, një aleate e ngushtë e Rusisë. Vetëm pak ditë më parë, më 13 shtator, autoritetet lituaneze raportuan një tjetër incident me dron. Një objekt dyshohej se kishte hyrë nga Bjellorusia, kishte përshkuar një pjesë të territorit të Lituanisë dhe më pas kishte kaluar në hapësirën ajrore të Rusisë. Në atë rast nuk u aktivizuan alarmet për kërcënim ajror. Incidentet me dronë ushtarakë që depërtojnë në hapësirën ajrore të vendeve evropiane janë bërë gjithnjë e më të shpeshta që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Polonia njoftoi gjithashtu se gjatë natës së së hënës kishte zhvilluar operacione ajrore për shkak të aktivitetit të dronëve rusë me motorë reaktivë, të cilët po përdoren në sulme kundër objektivave në Ukrainë.

Autoritetet polake thanë se këto operacione kishin karakter parandalues dhe synonin sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve të kërcënuara.

Edhe më herët këtë vit, avionët e NATO-s janë ngritur në fluturim në disa raste për të përballuar dronë ukrainas që kanë devijuar nga trajektorja dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike, përfshirë Estoninë dhe Letoninë. Ukraina ka fajësuar luftën elektronike ruse për disa prej këtyre rasteve, duke argumentuar se teknologjia e përdorur nga Rusia mund të ndikojë në drejtimin dhe trajektoren e dronëve ukrainas.

Lituania, Estonia dhe Letonia janë anëtare të NATO-s që prej vitit 2004 dhe mbulohen nga neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm i armatosur ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Incidenti i fundit në Lituani vjen në një periudhë kur vendet baltike dhe aleatët e tyre po rrisin vigjilencën ndaj çdo shkeljeje të hapësirës ajrore dhe kërcënimeve të mundshme që lidhen me luftën në Ukrainë. /rtsh/

Share This