
Gucati me apel ndaj BE-së dhe ambasadorëve: “Mos luani me vendimin e 16 shtatorit”
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të huaj që, siç thotë ai, të mos bëjnë politikë me aktgjykimin që pritet të shpallet më 16 shtator ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një postim, Gucati ka kritikuar deklaratat se procesi nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, pasi palët kanë të drejtë ankese. Sipas tij, një vendim i padrejtë në shkallën e parë do t’i shkaktonte dëm Kosovës edhe nëse më pas ndryshohet në Apel, transmeton Klankosova.tv.
Gucati pretendon se një vendim i tillë do të mund të shfrytëzohej nga Serbia në arenën ndërkombëtare, përfshirë në OKB dhe në fushatat e saj kundër Kosovës.
Ai ka kritikuar gjithashtu punën e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se gjatë viteve të procesit është prodhuar një narrativë që, sipas tij, i ka shërbyer Serbisë dhe se një vendim që kriminalizon luftën e UÇK-së do të dëmtonte edhe legjitimitetin e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës.
Ai ka theksuar se drejtësia, sipas tij, nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund të procesit, por duhet të jetë e tillë që nga fillimi.

