Kurti: VV do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit

Kurti: VV do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

Kurti ka thënë se emrat e kandidatëve duhet të diskutohen dhe të sqarohen në takimet ndërmjet subjekteve politike, duke përmendur si mundësi edhe një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën.

“Po e përsëris atë çfarë tashmë e ka thënë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e kjo është që ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, duke thënë se sipas tij nuk është e domosdoshme që për këto pozita të votohet ekskluzivisht një emër i caktuar.

“Në këtë kuptim uroj që ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë në vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët, por më së miri do të ishte që këto të sqaroheshin në takimet e përbashkëta”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka përmendur edhe qëndrimet e deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se vitin e kaluar ajo kishte kërkuar tërheqjen e Albulena Haxhiut, ndërsa këtë vit kishte kërkuar tërheqjen e Feride Rushitit.

Kurti ka rikujtuar gjithashtu bojkotimin e votimit për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit dhe deklaratat e Çitakut lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Ai ka bërë të ditur se një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do të mundësonte sqarimin e emrave të deputetëve të kësaj partie që mund të merrnin mbështetjen e VV-së.

“Pra në një takim timin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do ta sqaronim se cilët deputetë të PDK-së do të mund të votoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe në këtë mënyrë ta ketë PDK-ja nënkryetarin e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Share This