
Trump: Luftimet me Iranin s’do zgjasin shumë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se luftimet e rifilluara me Iranin nuk do të zgjasin shumë.
Ai pohoi se Uashingtoni ka vendosur një kontroll të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Ky reagim erdhi menjëherë pas shkëmbimit më të madh të zjarrit mes dy vendeve që nga korriku, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit gjashtëmujor.
Gjatë një konference për media në Zyrën Ovale, Trump u shpreh optimist për kohëzgjatjen e operacioneve ushtarake, por paralajmëroi se SHBA është e gatshme të godasë sërish në çdo moment.
“Ne po kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit. Çdo ditë po nxjerrim prej andej anije të shumta me miliona fuçi nafte. Në pjesën më të madhe, po e bëjmë këtë pa probleme. Herë pas here ata lëshojnë ndonjë dron dhe ne e rrëzojmë. Kemi kontroll, një kontroll shumë të fortë”, shkroi Trump.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ushtria e SHBA-së ndërmori një sulm masiv gjatë natës në përgjigje të goditjeve iraniane ndaj një baze amerikane në Jordani.
Trump sqaroi se forcat e tij kanë asgjësuar pajisjet e reja që Irani po përpiqej të ndërtonte përgjatë ngushticës, përfshirë sisteme radari, raketa dhe një projekt për lëshimin e minave detare.
“Mbrëmë shpërthyem shumë më tepër sesa thjesht radarët e tyre. Ishte një sulm shumë i rëndë dhe jemi të përgatitur të bëjmë një tjetër kurdo që të duam”, shtoi presidenti amerikan. /rtsh/

