
Beteja me flakët, Ministria e Mbrojtjes: 18 vatra zjarri në vend, 9 mbeten aktive, ndërhyhet me 4 helikopterë, eliminohet rreziku për banesat në Milot e Dajt
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një përditësim zyrtar mbi situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit, ku deri në orën 20:00 janë regjistruar gjithsej 18 vatra zjarri. Prej tyre, 9 vatra mbeten aktive, ndërsa 3 të tjera ndodhen nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencës.
Mobilizimi i forcave në terren dhe mbështetja nga ajri
Për përballimin e situatës kritike janë angazhuar trupa të shumta nga toka dhe ajri. Në operacionet e shpëtimit dhe fikjes së flakëve po marrin pjesë 383 forca operacionale civile dhe 24 automjete zjarrfikëse, të cilat mbështeten nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 mjet zjarrfikës ushtarak si dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
“Mbetet vatra më problematike Gojan–Gjegjan në Pukë, për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve të zonës,” njofton zyrtarisht Ministria e Mbrojtjes.
Gjendja në vatrat kryesore, harta e rrezikut
Në vatrat e tjera kryesore, ndërhyrja e koordinuar ka sjellë parandalimin e dëmeve në zona të banuara:
- Mali i Milotit (Kurbin): Ndërhyrja vijon me 3 mjete zjarrfikëse, 1 autobot, 20 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Rreziku i drejtpërdrejtë për shtëpitë është eliminuar.
- Mali i Dajtit: Pas një riaktivizimi, po punohet nga toka dhe me 1 helikopter të FA-së, pa rrezik për banesat.
- Gjon (Bulqizë): Vatra mbetet aktive dhe po ndiqet nga 5 zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe 4 forca bashkiake me fokus mbrojtjen e objekteve të banimit.
- Ballaxhiaj (Memaliaj): Zjarri është vënë nën kontroll dhe ndodhet larg zonave të banuara.
Gjithashtu, situata paraqitet e stabilizuar në Qafë Helmes dhe Lufaj të Mirditës, ku zjarret janë fikur ose izoluar, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon koordinimin e të gjitha strukturave në nivel kombëtar. /rtsh/

