Klubi i madh gjerman arrin marrëveshje me Fisnik Asllanin

Klubi i madh gjerman arrin marrëveshje me Fisnik Asllanin

Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani është shumë pranë transferimit të RB Leipzigu.

Sipas medieve gjermane, Leipzig ka bërë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e yllit dardan.

Siç raportohet, klubi gjerman ka arritur marrëveshje në parim me Asllanin dhe tashmë kanë mbetur vetëm disa detaje të fundit për t’u finalizuar para zyrtarizimit të transferimit.

Leipzigu është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit të sulmuesit, e cila besohet të jetë rreth 30 milionë euro, duke e vendosur veten në pozicion shumë të favorshëm për ta mbyllur marrëveshjen.

Interesimi për Asllanin nuk ka munguar nga klubet e mëdha evropiane. Barcelona e kishte ndjekur situatën e tij për disa muaj dhe e shihte si një alternativë të mundshme për repartin ofensiv, ndërsa edhe Borussia Dortmundi ishte përmendur si një nga klubet e interesuara.

Megjithatë, asnjëra nga këto skuadra nuk ndërmori hapa konkretë, ndërsa RB Leipzigu ka vepruar më shpejt dhe tani është favorit kryesor për ta transferuar sulmuesin 23-vjeçar.

Asllani pati një sezon të shkëlqyer me Hoffenheimin, ku paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.

Sipas vlerësimit të platformës së specializuar Transfermarkt, kartoni i tij vlerësohet rreth 35 milionë euro, duke e bërë aktualisht futbollistin shqiptar më të vlefshëm në treg.

Transferimi i sulmuesit kosovar te RB Leipzigu pritet të marrë formë zyrtare gjatë kësaj jave, nëse palët arrijnë të përmbyllin detajet e fundit të marrëveshjes.

Share This