Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ndaj çdo sulmi të ri amerikan

Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ndaj çdo sulmi të ri amerikan

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi paralajmëroi kundër një përshkallëzimi të ri ushtarak në konfliktin me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se forcat e armatosura të Teheranit do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo akti agresioni.

Në një mesazh në Telegram pas një telefonate me ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, Araghchi tha se SHBA, Izraeli dhe çdo shtet i Gjirit i përfshirë do të mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo sulm të ri.

Teherani tashmë ka kërcënuar me sulme hakmarrëse kundër infrastrukturës kritike në Izrael dhe vendet e Gjirit pas raportimeve nga mediat amerikane se Uashingtoni po shqyrtonte një sulm të ri të madh ndaj objektivave në Iran.

Sulmet e mundshme mund të përfshijnë infrastrukturën energjetike të Iranit, sipas raportimeve.

Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, Irani është përgjigjur shpesh ndaj sulmeve amerikane me sulme ndaj objektivave në shtetet e Gjirit, të cilat gjithashtu strehojnë baza ushtarake amerikane.

Arabia Saudite është shënjestruar disa herë.

Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman foli me presidentin e SHBA-së Donald Trump për të shprehur shqetësimet e mbretërisë në lidhje me raportimet për sulme të reja të planifikuara, raportoi faqja e internetit amerikane e lajmeve Axios, duke cituar burime amerikane të njohura me bisedimet.

Princi i kurorës i kërkoi Trumpit të ulë tensionet, thuhet në raport.

Araghchi foli gjithashtu me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan dhe shefin e ushtrisë së Pakistanit, feldmarshalin Asim Munir, i cili kohët e fundit ndërmjetësoi midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Në të dyja telefonatat, Araghchi tha se Irani mbeti i vendosur të përgjigjej me vendosmëri ndaj çdo sulmi. /atsh/

Share This