
Hoxha: Interesi i Shqipërisë është hapja e Konsullatës në Preshevë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar lidhur me debatin e shkaktuar pas deklarimit të ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri, duke theksuar se synimi i Shqipërisë është krijimi i një pranie konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës.
Ai ka theksuar se reciprociteti është parim i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe se politika e jashtme e Shqipërisë udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe e drejta ndërkombëtare.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Hoxha ka shkruar se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.
Ai ka bërë të ditur se, nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse.
Duke folur për parimin e reciprocitetit, Hoxha ka theksuar se ai është një element themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për avancimin e interesave kombëtare.
“Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet,” ka shkruar ai.
Sipas Hoxhës, synimi i Shqipërisë është krijimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar, në mënyrë që shteti shqiptar të jetë më pranë qytetarëve atje dhe të mbështesë më drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e tyre legjitime.
Ai ka kritikuar reagimet që, sipas tij, anashkalojnë interesin e Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i kësaj përfaqësie konsullore, duke e zhvendosur debatin tek interesat e supozuara të palës tjetër.
“Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane,” ka shkruar Hoxha, raporton rtk.
Ai ka shtuar se ky është standardi që Shqipëria synon të mbajë edhe si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian.

