Infantino u përgjigjet kritikëve pas polemikave me Balogunin

Infantino u përgjigjet kritikëve pas polemikave me Balogunin

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar për herë të parë ndaj kritikave të shumta që pasuan vendimin kontrovers lidhur me kartonin e kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Kupës së Botës 2026.

Në një mesazh të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Infantino iu përgjigj zërave që kanë kërkuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i FIFA-s, duke mbrojtur vendimet e marra gjatë turneut.

Polemikat nisën pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndërhyri në rastin e Balogunit, çka çoi në anulimin e kartonit të kuq që futbollisti kishte marrë në ndeshjen ndaj Bosnje e Hercegovinës. Ky zhvillim shkaktoi reagime të forta nga UEFA, e cila e cilësoi veprimin e FIFA-s si një vendim “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, duke vlerësuar se ishte kaluar një “vijë e kuqe”.

Megjithatë, Infantino mbrojti qëndrimin e FIFA-s, duke argumentuar se vendime të diskutueshme të arbitrave dhe organeve disiplinore janë të zakonshme në kampionatet më të rëndësishme të futbollit.

“Pakënaqësia juaj për disa vendime të marra nga autoritetet kompetente është e kuptueshme, por mjafton t’i referoheni rasteve publike. Vendime të debatueshme të arbitrave, kartonë të gabuar apo mospezullime të futbollistëve janë situata që ndodhin rregullisht në disa prej ligave më të mëdha në botë. Është interesante që pikërisht vendet ku ndodhin këto praktika janë ato që po na kritikojnë”, deklaroi Infantino.

Në fund të reagimit të tij, kreu i FIFA-s kishte edhe një mesazh për ata që kërkojnë largimin e tij.

“Për të gjithë ata që shkruajnë dhe kritikojnë, uroj të gjeni dashuri dhe paqe aty ku njerëzit përreth jush nuk mundën t’jua ofrojnë. Ne në FIFA e kemi gjetur paqen tonë dhe e kemi ndarë atë duke organizuar një Kupë Bote të jashtëzakonshme. Le të triumfojë futbolli mbi çdo urrejtje. Jam jashtëzakonisht krenar që, si president i FIFA-s, kam kontribuar qoftë edhe pak në këtë spektakël. Është një ndjenjë e mrekullueshme”, u shpreh ai.

Përveç çështjes së Balogunit, FIFA u përball me kritika edhe për kufizimet e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara që prekën tifozë dhe zyrtarë të disa kombëtareve pjesëmarrëse, si dhe për pushimet e detyrueshme për shkak të temperaturave të larta, shfaqjen e pjesës së parë në finalen e Kupës së Botës dhe politikat tregtare të turneut, të cilat u konsideruan nga shumë tifozë si përpjekje për të rritur të ardhurat në kurriz të përvojës së tyre.

Share This