
Zjarret kërcënojnë Madridin, gati 60 mijë banorë të evakuuar
Gati 60 mijë persona u detyruan të evakuoheshin dje për shkak të zjarreve të mëdha pyjore pranë kryeqytetit spanjoll, Madrid.
Në provincën e Ávilas, në veriperëndim të Madridit, janë evakuuar 30 mijë banorë, bëri të ditur prefekti i qeverisë spanjolle për Madridin, Francisco Martín Aguirre.
Ndërkohë, 29 488 persona të tjerë u evakuuan në zonat përreth kryeqytetit.
Ministria e Brendshme njoftoi gjithashtu se mbi 28 mijë persona nuk kanë mundur të largohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve, përfshirë 20 262 banorë në zonën metropolitane të Madridit dhe 8 000 në provincën e Ávilës.
Qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez shpalli të premten gjendjen e jashtëzakonshme me rëndësi kombëtare në zonën e Madridit të Madh dhe në provincën e Ávilas.
Sipas transmetuesit publik RTVE, kjo është hera e parë që në Spanjë merret një vendim i tillë për shkak të zjarreve pyjore.
Dje në mëngjes, Ministria e Brendshme bëri të ditur se kushtet e motit ishin përmirësuar gjatë natës, duke lehtësuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Në një deklaratë nga qendra e koordinimit të shërbimeve të emergjencës, Sánchez tha se përmirësimi i motit krijon shpresë që zjarret të vihen nën kontroll gjatë fundjavës.
Megjithatë, ai theksoi se situata mbetet e vështirë dhe se prioriteti kryesor i autoriteteve është mbrojtja e jetës së qytetarëve. /atsh/

