Nicolas Sarkozy dënohet me 5 vite burg për financim të paligjshëm nga Libia

Nicolas Sarkozy dënohet me 5 vite burg për financim të paligjshëm nga Libia

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë penale në Paris, pasi u shpall fajtor për konspiracion kriminal në çështjen e financimit të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i atëhershëm libian i Muammar Gaddafit.

Sipas gjykatës, Sarkozy lejoi bashkëpunëtorët e tij të afërt të lidhnin kontakte me zyrtarë libianë për të siguruar mbështetje financiare për fushatën. Megjithatë, ai u shfajësua nga akuzat për korrupsion pasiv dhe financim të paligjshëm të fushatës, për shkak të mungesës së provave të drejtpërdrejta që ai vetë kishte përfituar nga fondet ilegale, raporton BBC.

Ky vendim shënon një precedent historik, pasi Sarkozy bëhet i pari ish-president francez që mund të përfundojë pas hekurave. Ai do të duhet të vuajë dënimin edhe nëse vendos të apelojë, dhe është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 100,000 euro.

Në sallën e gjyqit pati reagime të habitura kur gjykatësja Nathalie Gavarino shpalli dënimin, ndërsa Sarkozy, i cili gjithmonë ka mohuar çdo akuzë, e ka cilësuar procesin si politikisht të motivuar.

Hetimet nisën në vitin 2013, kur Saif al-Islam Gaddafi – djali i ish-udhëheqësit libian – akuzoi publikisht Sarkozy se kishte marrë miliona euro nga regjimi libian. Më pas, biznesmeni libano-francez Ziad Takieddine deklaroi se kishte prova të shkruara se regjimi i Gaddafit kishte financuar “bollshëm” fushatën e Sarkozyt me deri në 50 milionë euro, madje edhe pas zgjedhjes së tij si president.

Në të njëjtën çështje u përfshinë edhe ish-ministrat e brendshëm Claude Guéant dhe Brice Hortefeux. Guéant u shpall fajtor për korrupsion, ndërsa Hortefeux për konspiracion kriminal.

Ndërkohë, bashkëshortja e Sarkozyt, ish-modelja dhe këngëtarja italiane Carla Bruni-Sarkozy, është nën akuzë për fshehje provash dhe bashkëpunim në mashtrim, akuza të cilat ajo i mohon.

Ky është dënimi i tretë penal për Sarkozy që nga përfundimi i karrierës së tij presidenciale. Në vitin 2021 u dënua për përpjekje për të korruptuar një gjyqtar, ndërsa në vitin 2024 për shpenzime të tepërta në fushatën e vitit 2012.

Dënimi i fundit është një goditje e rëndë për figurën politike të Sarkozyt, i cili dikur konsiderohej si një nga liderët më të fuqishëm të Evropës. Ai tani përballet me mundësinë reale të burgimit në ditët në vijim. /rtk/

Share This