Rooney për Ronaldon: Mentaliteti i tij mbetet i pakrahasueshëm

Rooney për Ronaldon: Mentaliteti i tij mbetet i pakrahasueshëm

Ish-sulmuesi i Anglisë dhe i Manchester United, Wayne Rooney, ka vlerësuar Cristiano Ronaldon pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës 2026, duke e cilësuar mentalitetin e tij si të pakrahasueshëm me asnjë futbollist tjetër.

Portugalia u ndal në fazën e 1/8 së finales, pasi u mposht nga Spanja me golin vendimtar të Mikel Merinos në minutat e fundit. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Roberto Martinez dha dorëheqjen, ndërsa eliminimi shënoi një tjetër dështim të Portugalisë për të arritur finalen e parë në histori të Kupës së Botës.

Në përfundim të sfidës, Cristiano Ronaldo u pa i përlotur, ndërsa 41-vjeçari deklaroi se i duhet kohë për të vendosur nëse do të vazhdojë të përfaqësojë kombëtaren portugeze.

Paraqitjet e tij në turne kanë nxitur diskutime mbi rolin e tij në nivelet më të larta të futbollit, pasi shënoi vetëm tre gola gjatë Kupës së Botës.

Megjithatë, Rooney nuk kurseu fjalët e mira për ish-bashkëlojtarin e tij te Manchester United.

“Ai ia ka kushtuar të gjithë jetën futbollit dhe e dashuron këtë sport. Ka një mentalitet që nuk e kam parë kurrë te asnjë futbollist. Dëshira e tij për të fituar çdo ndeshje, për të luajtur në çdo takim dhe për të shënuar është e jashtëzakonshme”, tha Rooney për “BBC Sport”.

Ai shtoi se Ronaldo beson me bindje se është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.

“Ai nuk tërhiqet kurrë dhe beson se është lojtari më i mirë në histori. Për shumë njerëz, ai vërtet është”, u shpreh Rooney.

Portugalia do të rikthehet në fushë në muajin shtator, kur do të nisë fushatën në UEFA Nations League, me ndeshje ndaj Uellsit dhe Norvegjisë.

Share This