Martinez mbron Ronaldon: Shembull për ekipin dhe futbollin portugez

Martinez mbron Ronaldon: Shembull për ekipin dhe futbollin portugez

Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka dalë në mbrojtje të kapitenit Cristiano Ronaldo pas kritikave që pasuan barazimin 1:1 ndaj Kongos në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.

Në konferencën për media para përballjes së sotme ndaj Uzbekistanit në kuadër të Grupit K, Martinez e vlerësoi Ronaldon si një model për të gjithë skuadrën, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.

“Cristiano është ndoshta shembulli më i mirë se si një futbollist duhet të fokusohet te gjërat që mund të kontrollojë. Mënyra se si rikuperohet, përgatitet dhe stërvitet është e jashtëzakonshme. Ai është një shembull për të gjithë ne”, deklaroi Martinez.

Selektori portugez vuri në pah edhe eksperiencën e sulmuesit veteran, i cili po merr pjesë për herë të gjashtë në një Kupë Bote.

“Është hera e gjashtë që luan në Botëror dhe prej shumë vitesh përfaqëson vendin e tij. Ai vazhdon të kërkojë përmirësim dhe dëshiron të kontribuojë për ekipin. Ronaldo është një model për skuadrën tonë”, shtoi ai.

Megjithatë, Martinez nuk zbuloi nëse 41-vjeçari do të jetë titullar ndaj Uzbekistanit, duke thënë se fillimisht dëshiron ta njoftojë skuadrën për formacionin.

Portugalia hyn në këtë ndeshje me synimin për të marrë fitoren e parë në turne, pas zhgënjimit në sfidën hapëse ndaj Kongos. Sipas Martinezit, pikërisht ai zhgënjim duhet të shërbejë si motivim shtesë për ekipin.

“Ndjesia e frustrimit pas ndeshjes së parë është pika më e mirë e nisjes për t’u përgatitur për takimin e radhës. Jemi më të bashkuar, më të fortë dhe po punojmë shumë”, theksoi ai.

Portugalia konsiderohet favorite ndaj debutuesit Uzbekistan, por trajneri spanjoll paralajmëroi se skuadra e tij duhet të tregojë reagim në fushë për të shmangur një tjetër rezultat zhgënjyes në Botërorin 2026.

Share This