
Rubio në Gjirin Persik për sigurinë, SHBA kërkon garanci për paqe dhe stabilitet në rajon
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nis këtë javë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrejn, në një moment të rëndësishëm për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Udhëtimi vjen vetëm pak ditë pas marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synon uljen e tensioneve dhe rikthimin e stabilitetit në rajon. Në fokus të takimeve do të jetë sigurimi i aleatëve amerikanë për qasjen e administratës Trump ndaj Teheranit.
Një tjetër çështje kyçe mbetet siguria në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës. Vizita zhvillohet pas negociatave të mbajtura në Zvicër, ku palët hodhën bazat për një marrëveshje më të gjerë në të ardhmen.
Uashingtoni po shqyrton edhe masa për ndërtimin e besimit, mes tyre mundësinë e zhbllokimit të disa aseteve iraniane për blerje produktesh bujqësore amerikane. Ndërkohë, Teherani ka pranuar rikthimin e inspektorëve bërthamorë të OKB-së, një hap që shihet si sinjal për vazhdimin e dialogut.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë pranojnë se një marrëveshje përfundimtare mbetet ende larg. Ekspertët theksojnë se vendet e Gjirit kërkojnë më shumë sesa deklarata politike dhe presin garanci konkrete për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë.
Në këtë kuadër, vizita e Rubios shihet si një provë e rëndësishme për të treguar nëse përparimet diplomatike mund të shndërrohen në paqe të qëndrueshme në rajon. /rtsh/

