Izraeli dhe Hezbollahu pajtohen për armëpushim

Izraeli dhe Hezbollahu pajtohen për armëpushim

Izraeli dhe Hezbollahu kanë rënë dakord për një armëpushim, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan, pas sulmeve intensive ajrore izraelite në jug të Libanit që lanë të vrarë 47 persona.

Marrëveshja erdhi pas shqetësimeve se përplasjet e vazhdueshme, gjatë të cilave Hezbollahu vrau edhe katër ushtarë izraelitë në Liban, mund të rrezikonin marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.

Ushtria izraelite konfirmoi se armëpushimi kishte hyrë në fuqi, por më vonë një zëdhënës deklaroi se forcat izraelite do të vazhdojnë të “eliminojnë kërcënimet e menjëhershme”.

Hezbollahu ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht armëpushimin, por sekretari i përgjithshëm i tij, Sheikh Naim Qassem, tha se “projekti për eliminimin e Hezbollahut ka dështuar”.

Zyrtarët e shpëtimit në qytetin Nabatieh thanë për BBC-në se të paktën 12 sulme ajrore janë kryer që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në orën 16:00 sipas kohës lokale.

Përshkallëzimi i fundit shihet si një tjetër tregues se presidenti amerikan Donald Trump nuk e kontrollon plotësisht zbatimin e marrëveshjes me Iranin.

Memorandumi i mirëkuptimit parashikon armëpushim si në Liban, ashtu edhe ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, por situata në terren ka qenë ndryshe, duke bërë që Teherani ta akuzojë Trumpin se nuk po arrin ta frenojë Izraelin.

Vetë Trump ka kritikuar ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e akuzuar se po vret civilë pa nevojë në luftën kundër Hezbollahut.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, reagoi pas vrasjes së katër ushtarëve izraelitë duke deklaruar se “Libani duhet të digjet”, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi Izraelin se dëshiron “luftë të përhershme”.

Ushtria izraelite tha se do të vazhdojë t’u përgjigjet çdo shkeljeje të armëpushimit nga Hezbollahu dhe të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e civilëve izraelitë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se sulmet ajrore izraelite vranë 47 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe plagosën 97 të tjerë.

Lajmi për armëpushimin është pritur me skepticizëm nga shumë libanezë të zhvendosur, të cilët dyshojnë se Izraeli do ta respektojë marrëveshjen.

Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se javën e ardhshme në Uashington do të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet qeverisë libaneze dhe Izraelit, me synimin për arritjen e një paqeje afatgjatë, raporton BBC. /rtk/

Share This