
Përfundon numërimi i votave të zgjedhjeve të 7 qershorit
Numërimi i votave të zgjedhjeve të 7 qershorit është përmbyllur dhe është konfirmuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13% të votave dhe 53 ulëse në Kuvend, duke u renditur si subjekti i parë.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% dhe 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74% dhe 7 mandate.
Sipas KQZ-së, në orën 14:30 është përfunduar numërimi i votave me postë nga diaspora, ndërsa në orën 18:30 është përmbyllur edhe numërimi i votave me kusht dhe i votuesve me nevoja të veçanta.
Nga data 8 deri më 17 qershor 2026, në 38 Qendra Komunale të Numërimit është bërë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga 2,498 vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat nga përfaqësitë diplomatike, votat me postë, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
KQZ ka marrë gjithashtu vendim për rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta, që përbëjnë 7.41% të totalit, proces që pritet të nisë më 18 qershor në mëngjes.
Sipas institucionit, kjo masë është marrë për të adresuar parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të numërimit dhe për të siguruar saktësinë e rezultateve, raporton rtk.
KQZ thekson se pas përfundimit të afatit ligjor 48-orësh për ankesa, në mungesë të tyre do të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa në rast ankesash do të pritet vendimmarrja e institucioneve përkatëse.

