
Zhvillimet diplomatike, Zelensky i propozon takim ballë për ballë Putinit, SHBA drejt zhbllokimit të ndihmës së re ushtarake për Kievin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka drejtuar një letër të hapur Kremlinit ku kërkon një takim të drejtpërdrejtë ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin. Kjo nismë vjen në një moment kur udhëheqësi rus, nga forumi ekonomik i Shën Petersburgut (Spief), është shprehur i hapur për një zgjidhje paqësore, ndonëse ka deklaruar se një armëpushim në terren nuk është i nevojshëm.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni zyrtar po lëviz drejt zhbllokimit të një pakete të re ndihme ushtarake prej 8 miliardë dollarësh për Kievin, pas muajsh ngërçi politik.
Propozimi për dialog të drejtpërdrejtë dhe ndërmjetësimi
Në letrën e tij, Zelensky ka kërkuar përcaktimin e një date specifike për bisedime dypalëshe me qëllim përfundimin e konfliktit që zgjat prej më shumë se katër vitesh.
“Unë propozoj një takim ballë për ballë dhe propozoj të caktohet një datë specifike,” ka deklaruar udhëheqësi ukrainas, duke kërkuar që në këtë rrugë dypalëshe të shtohen edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, pasi sipas tij, “çështjet ukrainase dhe evropiane nuk vendosen në Anchorage”.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin ka konfirmuar gatishmërinë e Moskës për një zgjidhje me mjete paqësore, duke rilançuar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schroeder si një ndërmjetës potencial. Putin shtoi se Rusia nuk i refuzon kontaktet me Bashkimin Evropian, me kusht që kjo ndihmë të jetë pjesë e marrëveshjeve të mëparshme të Anchorage-it. Ai specifikoi se Moska nuk kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në BE, por është kundër shndërrimit të bllokut në një strukturë ushtarake.
Lidhur me këtë zhvillim diplomatik ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka mbështetur idenë e një takimi të mundshëm: “Do të ishte e mrekullueshme nëse do të takoheshin, duhet ta bëjnë patjetër”.
Akuzat e Moskës dhe paketa e re e armatimeve nga SHBA
Përpara propozimit të Zelenskyt, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte akuzuar Uashingtonin për mosrespektim të marrëveshjeve të arritura në samitin e Alaskës me Donald Trumpin. Pavarësisht tensioneve diplomatike dhe përparimit të trupave ruse në vijnë e kufirit, Shtetet e Bashkuara po përshpejtojnë dërgimin e ndihmës ushtarake.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, konfirmoi se fondet e reja janë aktualisht në proces miratimi nga agjencitë amerikane dhe pritet të shpallen së shpejti. Kjo paketë mbështetet në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili parashikon financime të ndara për vitet 2026 dhe 2027 përmes Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës.
Drita jeshile për këto fonde, të cilat ishin bllokuar më parë nga Pentagoni, u dha nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pas presioneve të vazhdueshme nga senatorët republikanë. Ndonëse specifikimet e armatimeve nuk janë bërë ende publike, pala ukrainase ka këmbëngulur së fundmi për furnizimin me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore Patriot. /rtsh/

