
Ferit Hoxha: Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, ka deklaruar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takime me krerët institucionalë të vendit.
Hoxha është pritur në takime të ndara nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Në këto takime është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimin në politikën e jashtme, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit institucional në fusha me interes të përbashkët.
Hoxha ka theksuar se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e saj në proceset integruese euroatlantike, përfshirë afrimin me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të konkretizohet me projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në forcimin e zhvillimit ekonomik e institucional.
Në takimin me ushtruesen e detyrës së presidentes, është theksuar rëndësia e koordinimit të ngushtë në politikën e jashtme dhe mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe avancimi në rrugën euroatlantike. Është diskutuar gjithashtu për forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është vënë theks i veçantë te bashkërendimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, zbatimi i marrëveshjeve të përbashkëta dhe thellimi i bashkëpunimit në fusha si diplomacia, energjia dhe infrastruktura. Kurti ka theksuar se bashkërendimi ndërmjet dy vendeve është detyrë kombëtare dhe se marrëdhëniet janë të shkëlqyera.
Në takimin me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është diskutuar për mbështetjen e Shqipërisë në proceset e integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Konjufca ka kërkuar mbështetje më të madhe në proceset eurointegruese dhe thellim të bashkëpunimit rajonal dhe ndërqeveritar.
Në fund të vizitës, është theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbeten strategjike dhe të pandashme, me fokus në stabilitetin rajonal, integrimin euroatlantik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. /rtk/

