
Trump: Teherani s’do ketë lehtësim sanksionesh për dorëzimin e uraniumit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani nuk do të marrë asnjë lehtësim sanksionesh në shkëmbim të dorëzimit të uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë.
Në një intervistë për PBS News, Trump theksoi se Washingtoni e sheh dorëzimin e këtij uraniumi si prioritet kryesor, por pa ofruar lehtësim sanksionesh si kundërshpërblim.
“Ata do ta dorëzojnë uraniumin e tyre të pasuruar në shkallë të lartë, por jo për lehtësim sanksionesh. Jo, jo, aspak,” tha ai.
Kjo deklaratë vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor iranian.
Shtetet e Bashkuara kanë insistuar prej kohësh që Irani të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, të cilat sipas Perëndimit mund të përdoren për qëllime ushtarake.
Ndërkaq, më herët Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë me forcë një raport të medias shtetërore iraniane, i cili pretendonte se kishte zbuluar detaje të një drafti të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit aktual.
“Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe MoU-ja që ata ‘publikuan’ është një fabrikim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që media shtetërore iraniane po shpërndan. “Faktet kanë rëndësi”, shkroi Shtëpia e Bardhë në platformën X. /rtsh/

