
Sulmi rus që goditi rezidencën e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, reagon delegacioni i BE-së: Dënojmë ashpër agresionin
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar sulmin ajror rus të kryer gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, i cili shkaktoi viktima dhe dëme materiale, duke goditur edhe rezidencën e ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë.
Në një deklaratë zyrtare, delegacioni i BE-së thekson se sulmi “na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit rus kundër Ukrainës”.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon me forcën më të madhe sulmin me dronë dhe raketa të kryer gjatë natës nga Rusia ndaj Kievit, i cili shkaktoi disa viktima dhe goditi gjithashtu rezidencën e Ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë, duke vënë në rrezik jetën e tij. Ky sulm i papërgjegjshëm na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet më tej në njoftim.
Sulmi rus ndaj Kievit është pjesë e seri të vazhdueshme të bombardimeve ajrore që Rusia ka intensifikuar vitet e fundit kundër qyteteve ukrainase, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme në infrastrukturë.
Delegacioni i BE-së ripërsëriti qëndrimin e tij të prerë se Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm në krah të Ukrainës dhe të popullit ukrainas në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. /rtsh/

