Kurti: Do të investojmë 30 milionë euro në parqe industriale

Kurti: Do të investojmë 30 milionë euro në parqe industriale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të parkut të parë industrial të gjelbër në Kosovë, tha se ideja kryesore është krijimi i kushteve më të mira për bizneset. Ai theksoi se synimi është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtohen 14 parqe industriale në gjithë vendin.

“Idetë kryesore janë të krijojmë kushte më të mira për bizneset, të ulim kostot operative, të reduktojmë ndikimin negativ në mjedis, të rrisim punësimin dhe të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve”, tha Kurti në prezantimin e konceptit të Parkut Industrial në Gjakovë.

Tutje, Kurti bëri të ditur se, krahas planeve për investime në infrastrukturën bazike, si rrugë, hekurudha dhe rritje të kapaciteteve energjetike, është zhvilluar edhe një vizion i ri për parqet industriale.

“Plani ynë është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtojmë 14 parqe industriale në gjithë Kosovën, me një investim prej 30 milionë eurosh”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Mitrovica, Gjilani, Lipjani, Drenasi, Rahoveci dhe Podujeva janë disa nga komunat ku do të zhvillohen këto parqe, duke theksuar se në këtë vizion përfshihet edhe Gjakova.

“Në Gjakovë tashmë kanë nisur themelet e zonës industriale ushtarake, ku investitorë seriozë do të prodhojnë armë, dronë dhe municion ‘Made in Kosova’”, tha ai.

Po ashtu, Kurti u shpreh i kënaqur që ndodhej në Gjakovë, të cilën e cilësoi si qytet me traditë të fortë në ndërmarrësi dhe prodhim.

“Gjakova është një qytet ku puna është kulturë”, theksoi ai, duke shtuar se sektori privat mbetet lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ndërkaq ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se zhvillimi i Parkut Industrial të Gjelbër në Gjakovë lidhet drejtpërdrejt me synimin për rritjen e prodhimit në sektorët me potencialin më të madh eksportues.

Ajo theksoi se projekti, i mbështetur nga partnerët gjermanë, parasheh transformimin e zonës së ish-“Metalikut” dhe “Virgjinisë” në një park industrial të bazuar në ekonominë qarkore, energjinë e ripërtëritshme, riciklimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve.

Sipas saj, fokusi i parkut do të jetë në përpunimin e metaleve, plastikës, drurit dhe riciklimit, duke krijuar një ekosistem industrial që ul kostot operative, rrit konkurrueshmërinë dhe krijon vende të reja pune.

Kusari-Lila bëri të ditur se ministria është në negociata me Bankën Botërore dhe IFC-në për fazën e ardhshme të projektit, e cila synon hartimin e planit operacional për zhvillimin e parkut.

“Kosova nuk mund ta zvogëlojë deficitin tregtar pa e rritur prodhimin industrial, kapacitetet përpunuese dhe konkurrueshmërinë eksportuese”, tha ajo. /rtk/

Share This