
AAK miraton listën zgjedhore, Gjini bartës i saj
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka miratuar listën e saj zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke caktuar Ardian Gjinin bartës të kësaj liste. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së partisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë, ku janë marrë vendime për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në fillim të mbledhjes, pjesëmarrësit kanë nderuar me një minutë heshtje anëtarin e ndjerë të partisë, Rifat Stojkaj.
Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm ka miratuar me shumicë votash listën e kandidatëve për deputetë, si dhe ka caktuar Ardian Gjinin bartës të listës zgjedhore të AAK-së.
Sipas njoftimit të AAK-së, lista e miratuar kombinon përvojën politike me kandidatë të rinj profesionalë, me qëllim përfaqësimin e qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës, raporton rtk.
Po ashtu, janë miratuar ndryshime statutare që synojnë rritjen e transparencës dhe funksionimin më dinamik të partisë, të cilat i paraprijnë Kuvendit Zgjedhor të AAK-së të planifikuar për 24 maj.
Në mbledhje është diskutuar edhe për mobilizimin e degëve në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa është theksuar se AAK hyn në procesin zgjedhor me fokus në zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe integrimet euro-atlantike.

