
Specialja reagon ndaj raportit të Avokatit të Popullit në Kosovë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë reaguar ndaj raportimeve dhe deklaratave të Avokatit të Popullit të Kosovës lidhur me raportin e përgatitur nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit për procedurat gjyqësore të kësaj Gjykate.
Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep tha se raporti në fjalë nuk përmban asnjë konstatim se ndonjë vendim i gjykatësve ka shkelur të drejtat e të akuzuarve dhe as nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e kësaj gjykate bie ndesh me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo tribunaleve të tjera ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Zëdhënësit e Dhomave të Specializuara theksuan se raporti nuk konstaton as që vendimet mbi paraburgimin kanë qenë në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.
“Në raport trajtohet disponueshmëria efektive e mjeteve juridike në Dhomat e Specializuara dhe theksohet se shumë çështje ende janë duke u shqyrtuar nga gjykatësit dhe mund të apelohen në instanca më të larta”, thuhet në reagim.
Sipas DhSK-së, shumë nga çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit dhe të trajtuara në raport bazohen kryesisht në argumentet e paraqitura nga ekipet mbrojtëse, ndërsa aty nuk përfshihen qëndrimet e Prokurorisë, të mbrojtjes së viktimave apo arsyetimet konkrete të paneleve gjyqësore.
Po ashtu, në reagim thuhet se vetë raporti pranon shprehimisht se shumë nga aspektet e trajtuara janë ende në proces diskutimi juridik dhe për to ende nuk ka vendime përfundimtare nga gjykatësit.
Dhomat e Specializuara rikujtuan edhe rolet e palëve në proces gjyqësor, duke theksuar se mbrojtja përfaqëson interesat e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave përfaqëson viktimat pjesëmarrëse, ndërsa Prokuroria ka detyrimin të vërtetojë akuzat e ngritura.
“Vetëm trupi gjykues vendos për faktet, vlerëson provat dhe përcakton nëse fajësia është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm. Të gjitha vendimet mund të apelohen”, thuhet më tej në reagim.
Sipas Dhomave të Specializuara, për të kuptuar drejt punën e kësaj gjykate duhet t’iu kushtohet rëndësi arsyetimeve të plota të vendimeve gjyqësore dhe jo vetëm pretendimeve të një pale në proces.
Në fund, DhSK-ja theksoi se as Avokati i Popullit i Kosovës dhe as Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk janë pjesë e Dhomave të Specializuara dhe se raporti në fjalë nuk do të ketë ndikim në punën e gjykatës.

