
Trump paralajmëron Iranin: Do përballet me pasoja katastrofike
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Irani do të përballet me pasoja katastrofike nëse sulmon anijet amerikane që po kryejnë “Projektin e Lirisë” në Ngushticën e Hormuzit.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Irani do të fshihet nga faqja e dheut nëse sulmon forcat amerikane në atë zonë strategjike.
“Besoj se Irani është bërë shumë më i negociueshëm në bisedimet e paqes”, tha Trump, duke nënvizuar se sektori ushtarak amerikan në rajon po vazhdon me ritëm të lartë.
“Kemi më shumë armë dhe municion me cilësi shumë më të lartë se më parë. Kemi pajisjet më të mira. Kemi baza në të gjithë botën, të mbushura me pajisje. Mund t’i përdorim të gjitha ato, dhe do t’i përdorim nëse na duhet”, ka theksuar Trump.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta në Gjirin Persik, ku SHBA po zhvillojnë operacione për të garantuar lirinë e navigacionit në ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës botërore. /rtsh/

