
SHBA shqyrton bllokadë afatgjatë ndaj Iranit, rritet rreziku për ekonominë globale
Uashingtoni po shqyrton vendosjen e një bllokade afatgjatë ndaj porteve të Iranit, një zhvillim që mund të thellojë tensionet gjeopolitike dhe të rrisë presionin mbi ekonominë globale, në një kohë kur çmimet e naftës ndodhen në nivelet më të larta të katër viteve të fundit.
Lufta që shpërtheu më 28 shkurt, pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Republikës Islamike, ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban. Edhe pse më 8 prill u shpall një armëpushim nga presidenti amerikan Donald Trump, pas 40 ditësh luftime, situata mbetet e tensionuar dhe pa një zgjidhje të qëndrueshme në horizont.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të industrisë së naftës, është diskutuar mundësia e vazhdimit të bllokadës për disa muaj, nëse do të jetë e nevojshme. Qëllimi, sipas zyrtarëve, është ruajtja e presionit ndaj Teheranit duke kufizuar ndikimin te konsumatorët amerikanë.
Tensionet janë të lidhura ngushtë me Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me energji, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e hidrokarbureve botërore. Frika për një bllokim të zgjatur ka nxitur rritjen e çmimeve të naftës, me Brent që ka kaluar 119 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga viti 2022.
Analistët paralajmërojnë për një “ngërç të zgjatur”, ndërsa shanset për një zgjidhje diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit po zvogëlohen. Teherani akuzon Uashingtonin se po synon destabilizimin e brendshëm përmes presionit ekonomik.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse ndërmerren veprime të reja ushtarake, duke theksuar ndikimin që do të kishte një përshkallëzim i mëtejshëm jo vetëm në rajon, por edhe në nivel global.
Në SHBA, zhvillimet kanë nxitur debat të fortë politik, me kritika të ashpra ndaj drejtuesve të mbrojtjes gjatë seancave në Kongres. Kostoja e luftës vlerësohet të ketë arritur rreth 25 miliardë dollarë.
Pasojat ekonomike ndihen veçanërisht në Iran, ku monedha vendase ka rënë në nivele rekord ndaj dollarit. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve të energjisë rrezikon të shtyjë mbi 30 milionë njerëz në varfëri në mbarë botën.
Pavarësisht armëpushimit të zgjatur pa afat, negociatat mes palëve nuk kanë rifilluar, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të ri të konfliktit. /rtsh/


