Abdixhiku publikon 15 nënshkrime, nuk përjashton votat për Osmanin

Abdixhiku publikon 15 nënshkrime, nuk përjashton votat për Osmanin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë deklarimit të tij në hollin e Kuvendit të Kosovës, shpalosi listën me 15 votat e deputetëve për, siç tha ai, kandidatin për president të propozuar nga LDK, duke mos e përjashtuar as mundësinë që votat të shkonin për Vjosa Osmanin.

“Ja ku janë 15 nënshkrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe besoj që kjo ishte dashur ta përmbyllë gjithë debatin politik në Kosovë. 15 nënshkrime të LDK-së, për kandidatin e propozuar të LDK-së, por unë këto nënshkrime nuk kam dashur t’i bëj pjesë të lojërave politike, sepse janë serioze”, tha ai.

Abdixhiku kundërshtoi idenë e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme pa përmbushjen e kriterit të kuorumit.

“Është një natë bukur e rëndë për Republikën e Kosovës, meqenëse Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Një rast pa precedent, jodemokratik, antikushtetues për shtetin tonë të ri. Ky sabotim i Kushtetutës dhe institucioneve ka përgjegjësi të lartë dhe këtë do ta mbajnë ata që tentuan dhe iniciuan përmbysjen e këtij rendi kushtetues”, ka thënë ai, raporton rtk.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e njëjta, i pyetur për pjesëmarrjen ose jo nesër në seancën e jashtëzakonshme të thirrur në orën 10:00.

“Qëndrimi i LDK-së është konsistent, i pandryshuar nga dita e parë deri më tani. Madje LVV është zotuar nga takimi i parë që s’do të ketë kandidatura të imponuara, siç i kemi pasur katër të tilla. LDK bën thirrje që e vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm është nëpërmjet një marrëveshjeje politike. Për këtë marrëveshje ne kemi pasur një zotim e qëndrim, që del se LVV nuk e ka respektuar”, tha ai.

Share This