
Joshua rikthehet në ring, përballet me shqiptarin Prenga në Riad
Boksieri britanik Anthony Joshua do të rikthehet në ring pas një periudhe të vështirë emocionale, duke u përballur fillimisht me shqiptarin Kristian Prenga në një duel që pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Joshua ka kaluar një kohë të rëndë pas një aksidenti tragjik në dhjetor, ku humbën jetën dy miqtë e tij të ngushtë, duke e detyruar të largohej përkohësisht nga sporti.
“Nuk është sekret që kam marrë pak kohë për t’u rikuperuar emocionalisht dhe për t’u përgatitur për rikthimin në ring. Tani është momenti për hapin e radhës. Jam i lumtur që kam nënshkruar meçin për 25 korrik në Arabinë Saudite”, ka thënë Joshua.
“Mezi pres të garoj dhe të vazhdoj aty ku e kam lënë. Kjo është e sigurt”, ka theksuar britaniku.
Përballja me Prengën është planifikuar të zhvillohet më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite.
Në rast fitoreje, Joshua ka lënë të hapur mundësinë për një super-sfidë të ardhshme ndaj Tyson Fury, duel që prej kohësh është diskutuar në skenën e boksit botëror.
Nga ana tjetër, Prenga vjen në këtë përballje me një rekord mbresëlënës prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbje, të gjitha fitore të arritura me nokaut, duke e bërë atë një kundërshtar të rrezikshëm për britanikun në rikthimin e tij.


