Enrique para duelit me Bayernin: Një ekip që di të shënojë shumë gola

Enrique para duelit me Bayernin: Një ekip që di të shënojë shumë gola

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, të hënën në një konferencë për media, ka folur para përballjes me Bayern Munich.

PSG dhe Bayern Munich do të ballafaqohen të martën mbrëma në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

Tekniku spanjoll vlerësoi maksimalisht rivalët bavarezë, duke theksuar forcën e tyre në repartin ofensiv dhe cilësinë që kanë treguar gjatë sezonit.

“Vincent Kompany është një trajner i nivelit të lartë dhe këtë e ka treguar edhe në Angli. Një gjë të tillë po e shohim edhe te Bayern-i. Të gjithë e dinë sa e vështirë është të luash kundër tyre. Janë një ekip që më pëlqen ta shoh, sepse luajnë për të shënuar gola”, u shpreh Enrique.

Ai shtoi se ka një vlerësim të veçantë për trajnerët me filozofi sulmuese.

“Mua më pëlqejnë të gjithë trajnerët, por veçanërisht ata që kërkojnë gjithmonë sulmin”, theksoi Enrique.

Megjithatë, trajneri i PSG-së nuk u pajtua me opinionet që e cilësojnë këtë përballje si duel mes dy skuadrave më të mira të turneut.

“Nuk mendoj se gjithçka varet vetëm nga sulmi. Edhe Arsenal ka bërë një sezon shumë të mirë. Bayern-i ka qenë shumë konstant, me vetëm dy humbje. Por nëse analizojmë performancën si ekip, mendoj se PSG është diçka më lart”, deklaroi ai.

Share This