
E marta vendimtare për Presidentin – sonte skadon afati i Kurtit për tre emrat nga opozita
E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ka dhënë afat deri sonte kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës e atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut për të propozuar tri emra për postin e presidentit.
“Të na sjellin tre emra jashtë skenës aktuale politike, atëherë dy kandidaturat tona, Konjufca dhe Mulhaxha, do të tërhiqen. Pra, kërkojmë që deri nesër (sonte) në mbrëmje të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike dhe, në atë rast, ne do të tërhiqemi. Ne po presim tre emra prej atyre dy partive së bashku. As LDK-ja dhe as PDK-ja nuk i kanë deputetët për ta propozuar kandidatin e vet”, deklaroi Kurti të shtunën.
Por deri tani këto parti nuk i kanë dhënë tre emra siç ka kërkuar Kurti, por i janë përgjigjur këtij të fundit, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dje përmes një postimi në Facebook i bëri të qartë Kurtit duke i thënë se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
Abdixhiku theksoi se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së.
“I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, shkroi dje Abdixhiku në Facebook.
Por, Kurti nuk ia ka kthyer ende një përgjigje Abdixhikut për t’i treguar nëse partia e tij Lëvizje Vetëvendosje ia siguron 66 vota Vjosa Osmanit, nëse kandidohet nga LDK.
Megjithatë, Abdixhikut i ka reaguar deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, duke i thënë se ky i fundit çështjen e marrëveshjes politike me VV-në, e ka shpallur të mbyllur me 20 prill.
Ajo ka komentuar edhe çështjen e presidentit, duke thënë se, ‘’oferta’’ e VV’së, ishte që të propozohen 3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
‘’ Ne jemi të bindur që pas zgjidhjes ideale, pra Murat Jashari, kandidati më i mirë dhe më i zoti dhe me mbështetje të gjerë popullore për President Republike është Glauk Konjufca, të cilin e votuan 318 mijë qytetarë – krahasojeni këtë me komplet votën e LDK’së, për të cilën votuan 126 mijë qytetarë, pra 2.5 herë më pak’’, ka thënë ajo mes tjerash.
Kurse, nga Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ofertën e Vetëvendosjes.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur Kurtit edhe përmes një videoadresimi publik.
Hamza ka thënë se dje pamë një tentim tjetër nga Kurti për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ajo që pamë nuk ishte reflektim, sipas Hamzës, por vetëm ndryshim i formës së manipulimit.
“Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim politik. Por moralizim pa përgjegjësi dhe pa vetëdije për dëmet që shkakton me retorikën e tij. Çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon, sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë. Ndërsa z. Kurti, për vite me radhë, ka bërë të kundërtën: ka refuzuar bashkëpunimin, ka refuzuar kompromisin dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi. Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik”, ka thënë Hamza.
Prej gati dy vitesh, Hamza ka thënë se vendi po mbahet peng i bllokadave politike të Kurtit.
Jo sepse mungojnë mundësitë, por sipas tij, sepse mungon vullneti për të qeverisur me përgjegjësi.
“Si Kryetar i PDK-së, unë kam dëshmuar vullnet e gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim. Kam qenë aty, në çdo takim, në çdo ftesë. Madje edhe në vikend, në zyrën e tij, me shpresën e vetme: që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi shtetërore. Por shumë shpejt u bë e qartë: nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij. Ne, si PDK, kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua. U keqinterpretua. U përdor për konsum politik. Dhe në fund, vendi u shty drejt një rruge të gabuar që çonte në zgjedhje të reja, me dy kandidatë partiakë të tij dhe pa asnjë përpjekje reale për zgjidhje”, ka thënë Hamza.
Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i dha kohë të mjaftueshme për të reflektuar dhe vepruar, Hamza tha se nuk pati asnjë hap serioz.
“Asnjë platformë. Asnjë ofertë të sinqertë. Madje, nuk ishte në gjendje ta konkretizonte as kërkesën e tij përmes një letre zyrtare për PDK-në”, tha ai.
Kjo, sipas kreu të PDK-së, është shmangie nga përgjegjësia që qytetart ia kan besuar.
“Përgjegjësi nuk është të dalësh tri ditë para afatit me ide të reja. Përgjegjësi është të punosh nga dita e parë, me sinqeritet e vendosmëri. Çdo ofertë e re tani në minutat e fundit është vetëm lojë politike për t’u arsyetuar dhe jo përgjegjësi shtetërore për të ofruar zgjidhje. Institucionet nuk mund të përdoren si skenë për beteja narrative. Nuk jemi këtu për teatër politik. Nuk jemi këtu as për sfilata politike pa rezultat. Jemi këtu për zgjidhje. Dhe kur mungon serioziteti, nuk mund të ndërtohen as bashkëpunime”, ka thënë Hamza.
Lideri i PDK-së ka thënë se qëndrimi i kësaj partie ka qenë, është dhe mbetet parimor.
“Ne nuk bëjmë pazare politike”, ka thënë Hamza.
Për PDK-në, shton lideri i PDK-së, stabiliteti institucional nuk është objekt negocimi, por interes shtetëror.
“Dhe stabiliteti nuk ndërtohet me improvizime dhe kalkulime ditore politike. Ndërtohet me besim qytetar. Me legjitimitet të ri. Prandaj, duhet të kthehemi tek qytetarët. Le të vendosin ata për drejtimin që duhet të marrë vendi. Sepse demokracia nuk është vetëm numër votash, por është edhe mënyra sesi e përdor atë besim. Nuk duhet të keqpërdoret kështu, besimi qytetar, nga kryeministri i vendit. Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje e kriza, të cilat për ty, fatkeqësisht, janë vetëm lojëra politike”, i thotë Hamza – Kurtit.
Ndryshe, dy ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.
Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve. /Reporteri.net/


