
GJITHMONË NË SHËRBIM | Thaçi: Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej shtetit
“Garën politike e shoh pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj edhe në të ardhmen t’i shërbej publikut dhe shtetit”.
Kështu ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën e njohur gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, pasi që është pyetur nga gazetari gjerman që merret me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Michael Martens, se a ka përfunduar në mënyrë të pakthyeshme jeta politike e tij.
“Përulem para popullit të Kosovës, i cili për dy dekada më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik. Shpreh mirënjohje të thellë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, që kanë bashkëpunuar ngushtë me mua për të realizuar vullnetin e qytetarëve për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike”, ka theksuar Thaçi, i cili që gati 6 vjet ndodhet në paraburgim në Hagë, si i akuzuar për krime të pretenduara lufte nga Specialja.
Jashtë kësaj, Thaçi është pyetur nëse Jack Smith, ish-prokuror në Gjykatën Speciale që ia ngriti aktakuzën, është një instrument politik. Ai ka thënë se “në këtë fazë mund të them vetëm një parim universal: drejtësia nuk duhet të përdoret kurrë si instrument politik”.
“Kosova gjithmonë e ka parë Perëndimin si model për demokraci dhe sundim të ligjit – këto janë standardet që synojmë të ndërtojmë edhe në shoqërinë tonë”, deklaroi ndër të tjera ish-Presidenti.


