
Hoxhaj kritikon Kurtin pas deklaratës së Rashiqit: Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit
Ish-ministri i jashtëm dhe deputeti i Enver Hoxhaj ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se kryeministri Albin Kurti ia kishte transferuar tokën Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”.
Hoxhaj ka vlerësuar se kjo deklaratë tregon mënyrën se si po merren vendimet për territorin e shtetit.
Ai tha se një qasje e tillë reflekton, sipas tij, një politikë me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë që mund t’i jepet individëve për arsye personale.
“Nenad Rashiq tha publikisht se Albin Kurti, për hatër të tij, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Një deklaratë e tillë tregon thelbin e një politike me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë për t’u dhënë ‘për hatër’”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për vendime të tjera që, sipas tij, janë marrë në dëm të Kosovës.
“Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, për hatër të kujt janë marrë edhe vendime të tjera të rënda për Kosovën?”, ka theksuar ai.
Hoxhaj ka lidhur këto dilema edhe me marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë gjatë vitit 2023. Ai ka përmendur pranimin e vetëmenaxhimit në marrëveshjet e Ohri dhe Brukseli, rikthimin e Rezolutës 1244 dhe mekanizmat e arbitrazhit, si dhe përdorimin e pasaportave serbe nga qytetarët e Kosovës për lëvizje pa viza në BE.
Në përfundim, Hoxhaj ka theksuar se territori i Kosovës nuk mund të trajtohet si pronë personale nga askush: “Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit. Është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë.” /Rekordi.net


