Presidenti Ademi viziton ish-futbollistin Shemsedin Abazi dhe i uron shërim të shpejtë

Presidenti Ademi viziton ish-futbollistin Shemsedin Abazi dhe i uron shërim të shpejtë

Agim Ademi ka vizituar në spital ish-futbollistin e njohur gjilanas, Shemsedin Abazi, i cili po merr trajtim mjekësor.

Përmes një reagimi publik, Ademi e cilësoi Abazin si një nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Gjilanit dhe Kosovës, duke theksuar kontributin e tij të madh në futbollin kosovar gjatë viteve ’70 dhe ’80, raporton Rekordi.net.

Sipas tij, Abazi ishte ndër sulmuesit më të spikatur të asaj kohe, i njohur për shpejtësinë, driblimet dhe instinktin për gol, duke u bërë një nga futbollistët më të dashur për tifozët dhe një figurë që ka lënë gjurmë në historinë e sportit në vend.

Ademi tha se gjatë vizitës ka biseduar me ish-futbollistin për karrierën e tij, por edhe për sfidat me të cilat ai po përballet aktualisht.

“Gjatë kësaj vizite pata mundësinë të bisedoj me Shemën për karrierën e tij të lavdishme, por edhe për sfidat me të cilat po përballet sot, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik”, ka thënë Ademi.

Ai shtoi se Federata e Futbollit të Kosovës, do të vazhdojë të qëndrojë pranë figurave që kanë dhënë kontribut të madh për futbollin kosovar.

“Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë figurave që kanë dhënë shumë për futbollin tonë, sepse respekti dhe kujdesi për legjendat është detyrim moral dhe institucional”, u shpreh Ademi.

Në fund, ai i uroi Abazit shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë pranë familjes dhe shoqërisë.

“Shemës i uroj që ta kalojë sa më shpejt këtë sfidë shëndetësore dhe të rikthehet në mesin e familjes dhe shoqërisë. Shpresoj që së bashku me institucionet dhe komunitetin sportiv do të gjejmë mënyra për ta mbështetur në këtë periudhë të vështirë”, tha Ademi. /Rekordi.net

Share This