
Qeveria e Kosovës kufizon fitimin për naftën, ndërhyrje urgjente pas krizës në Lindjen e Mesme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka miratuar një vendim urgjent për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës në tregun e Kosovës. Kjo masë ndërhyrëse vjen me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e shpejtë dhe e pakontrolluar e çmimeve të karburanteve, një valë goditëse kjo e shkaktuar nga zhvillimet dhe tensionet e fundit në Lindjen e Mesme.
Ministrja, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se firmosja e këtij vendimi ishte e domosdoshme për të ruajtur ekuilibrat e tregut të brendshëm dhe për të garantuar një konkurrencë të ndershme mes operatorëve ekonomikë.
Kufizimi i marzhit tregtar, sa do të fitojnë tregtarët?
Për të frenuar rritjen abuzive të çmimeve në pikat e karburantit, vendimi i ri vendos një tavan të qartë fitimi për tregtarët, të ndarë në dy nivele:
Për shitjet me shumicë marzha tregtare maksimale e lejuar do të jetë deri në 2 eurocentë për litër.
Ndërsa për shitjen me pakicë, marzha tregtare maksimale e lejuar do të jetë deri në 12 eurocentë për litër.
Llogaritja e këtyre marzheve është mbështetur juridikisht në Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës, si një instrument mbrojtës në situata të çrregullimit të tregut.
Arsyetimi i masës dhe monitorimi në terren
Vendimi nuk ishte i rastësishëm, por pasoi një monitorim strikt të dinamikave të tregut. Të dhënat e kryqëzuara nga evidencat ditore të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, konstatuan se importuesit dhe shitësit me pakicë kishin reflektuar në mënyrë të menjëhershme rritjen e çmimeve të bursës globale direkt te konsumatori fundor.
Për të siguruar që ky tavan çmimesh nuk do të mbetet vetëm në letër, MINT ka paralajmëruar zbritjen e menjëhershme të inspektorëve në terren. Çdo devijim, shkelje apo moszbatim i këtij kufizimi do të përballet me sanksione të ashpra sipas legjislacionit në fuqi.
Ky rregullim i ri i tregut të hidrokarbureve pritet të prodhojë efekte të menjëhershme, pasi hyn në fuqi vetëm një ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. /rtsh/


