Vriten gjashtë ushtarë amerikanë nga sulmi iranian në Kuvajt

Vriten gjashtë ushtarë amerikanë nga sulmi iranian në Kuvajt

Gjashtë ushtarë amerikanë u vranë në një sulm iranian kundër një objekti ushtarak në Kuvajt të dielën, ka konfirmuar SHBA.

Komanda Qendrore e SHBA-së fillimisht njoftoi se tre ushtarë kishin humbur jetën në incident, por zyrtarët konfirmuan të hënën se numri i viktimave ishte dyfishuar, pasi një person ndërroi jetë nga plagët dhe dy trupa të tjerë u gjetën nën rrënoja.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se një bunker amerikan në Kuvajt u godit pasi një raketë e lëshuar gjatë kundërpërgjigjes fillestare të Iranit arriti të shmangte mbrojtjen ajrore.

Gjashtë vdekjet janë të vetmet viktima të konfirmuara nga ushtria amerikane që nga nisja e një lufte të re kundër Iranit në bashkëpunim me Izraelin.

Hegseth tha se një “armë e fuqishme” goditi një “qendër operative taktike të fortifikuar”, pa dhënë detaje të mëtejshme për vendndodhjen e saktë të objektit.

Tre zyrtarë ushtarakë amerikanë, me njohuri të drejtpërdrejta për sulmin e Iranit, i thanë CBS News, se ushtarët ndodheshin në një hapësirë zyre të improvizuar në Kuvajt.

SHBA ka një marrëdhënie të gjatë mbrojtjeje me Kuvajtin dhe më shumë se 13,000 ushtarë amerikanë janë të stacionuar në këtë vend të Gjirit.

Irani i është përgjigjur sulmeve kundër tij duke lëshuar raketa drejt vendeve të Gjirit që janë aleate me SHBA-në. Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Omani dhe Katari kanë përjetuar gjithashtu sulme.

Veçmas, në Kuvajt, SHBA konfirmoi se tre avionë luftarakë u rrëzuan pas asaj që u përshkrua si një incident “zjarri miqësor” të hënën.

Pamjet treguan avionët duke u rrotulluar drejt tokës. Pilotët arritën të hidhen me parashutë dhe mbijetuan.

Media shtetërore iraniane pretendoi se ushtria iraniane i kishte rrëzuar avionët, pa ofruar prova. /rtsh/

Share This