
Nuk gabon City, mposht Leeds-in
Manchester City vazhdon presionin ndaj rivalëve për titull në Premier League, pasi mposhti 1-0 Leeds United FC në ‘Elland Road”, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në përballjet direkte mes këtyre dy skuadrave.
Edhe pse vendasit e nisën më mirë takimin dhe krijuan disa raste të mira me Dominic Calvert-Lewin, mungoi saktësia para portës. City, që hasi vështirësi për të gjetur ritmin në pjesën e parë, arriti të godasë në momentin vendimtar.
Në kohën shtesë të fraksionit të parë, Antoine Semenyo përfitoi nga një krosim i Rayan Ait-Nouri dhe realizoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Në pjesën e dytë, Leeds ushtroi presion në kërkim të barazimit, por pa sukses, ndërsa City pati mundësi për të dyfishuar rezultatin me Omar Marmoush dhe Ruben Dias.
Me këtë fitore, Manchester City ngushton diferencën me kreun e tabelës, Arsenal, në vetëm dy pikë, duke mbajtur të hapur garën për titull.
Nga ana tjetër, Leeds mbetet gjashtë pikë mbi zonën e rënies nga Premier League.


