
“Kur heshtja flet”, libri që trajton procesin në Hagë
Libri “Kur heshtja flet” i ish-ambasadorit të Kosovës, Ahmet Shala, u botua një ditë para 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe vjen në një kohë kur në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohen seancat për argumentet përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Botimi përmbledh rrëfime të drejtpërdrejta, reflektime personale dhe analiza historike mbi zhvillimet që lidhen me këtë proces, duke përfshirë takime me ish-udhëheqës të UÇK-së dhe vizita në vende simbolike të lirisë. Qëllimi i autorit është të sjellë një këndvështrim personal mbi ngjarjet e rëndësishme historike.
Në ceremoninë e promovimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se historia e Kosovës, e shkruar me gjak, nuk mund të fshihet dhe as të shtrembërohet me gënjeshtra të hedhura në letër.”
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi se Perëndimi përballet me një test moral në lidhje me dënimin e mundshëm të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Është një sfidë që lidhet me varrosjen e katër njerëzve të pafajshëm”, tha ai duke iu referuar kërkesës së prokurorisë për dënime deri në 45 vjet për secilin prej tyre.
Gjatë promovimit foli edhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ndërsa vetë autori, Ahmet Shala, shpjegoi se ky libër nuk është thjesht një rrëfim, por përpjekje për të artikuluar narrativën që sipas tij është keqinterpretuar gjatë procesit gjyqësor.
“Kur heshtja flet” ofron një perspektivë të thelluar mbi historinë e UÇK-së dhe sfidat e drejtësisë në Hagë, duke rikujtuar lexuesit për luftën për mbijetesë dhe dinjitet të ushtrisë çlirimtare. /rtk/


