
Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotov e fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë
Në protestën e tretë kombëtare të thirrur nga opozita protestuesit hodhën sërish dhjetëra kokteje molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilët shpërthyen në flakë.
Tensionet u shënuan menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium në momentin kur disa protestues hodhën kokteje molotov në drejtim të forcave të rendit, të vendosura në kordon përpara Kryeministrisë. Si pasojë, u rrezikua siguria e efektivëve të policisë.
Protestuesit hodhën gjithashtu edhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në reagim ndaj lëndëve piroteknike, policia përdori ujë me presion përmes një autoboti, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Protestuesit të shoqëruar edhe me deputetë të PD-së, u zhvendosën para Kuvendit. Ndërkohë, pranë godinës së Parlamentit ka një prezencë të shtuar të forcave policore.
Kjo ishte protesta e tretë kombëtare e PD-së në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. /atsh/


