
Pak orë nga protesta, Berisha thirrje qytetarëve: Bashkohuni me uraganin e madh të shpresës dhe fitores së opozitës
Teksa na ndajnë pak orë nga protesta e opozitës para Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit”, Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen demokratëve në atë që ai e cilëson si momentin kritik të historisë së vendit.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar.
Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati u kërkon qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës, për të mbrojtur interesat jetike të Shqipërisë.
“Ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, në ato rrugë, në ato sheshe për të përcjellë mesazhin tonë se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh, që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme publike, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht t’u vjedhë të ardhmen evropiane”, deklaroi Berisha.
Opozita zhvillon këtë të martë (10 shkurt) protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:00.
Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë dhe kufizimet në trafik në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të jenë në dy faza:
Nga sonte, ora 23:45, do të ndalohet parkimi dhe qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Nesër (ditën e protestës), nga ora 15:00, do të bllokohet totalisht qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”).
Gjithashtu, nga ora 15:00 do të jenë të pakalueshme edhe rrugët lidhëse:
Rruga “Ukraina e Lirë”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Ismail Qemali” /rtsh/


