
BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën
Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 90 miliardë eurosh, pas dështimit për të rënë dakord mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Marrëveshja u arrit pas më shumë se një dite diskutimesh intensive gjatë samitit të BE-së në Bruksel.
Sipas liderëve europianë, kjo paketë financiare do të mbulojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, njoftoi marrëveshjen përmes një postimi në rrjetin X, ku shkroi: “U angazhuam dhe e realizuam”, duke theksuar se huaja do të mbështetet nga buxheti i përbashkët i BE-së.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar që BE-ja të përdorte rreth 200 miliardë euro nga asetet ruse të ngrira. Megjithatë, Belgjika (ku ndodhet pjesa më e madhe e këtyre fondeve), kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë ligjore, kërkesa që nuk u pranua nga vendet e tjera anëtare.
Në një zhvillim tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se do të ishte “e dobishme” që Europa të rihapte kanalet e komunikimit me Presidentin rus Vladimir Putin. Sipas tij, europianët duhet të gjejnë një kuadër të përshtatshëm për këtë dialog “në javët në vijim”.
Kryeministri belg, Bart De Wever, tha se vendimi për t’i dhënë Ukrainës një hua, në vend të përdorimit të aseteve të ngrira ruse, shmangu “kaosin dhe përçarjen” brenda BE-së. “Ne mbetëm të bashkuar”, theksoi ai.
Ukraina përballet me mungesë serioze fondesh dhe presidenti Zelensky ka paralajmëruar se pa mbështetje financiare deri në pranverë, vendi do të detyrohet të reduktojë prodhimin e dronëve. Sipas vlerësimeve të BE-së, Ukraina ka nevojë për rreth 135 miliardë euro shtesë për të përballuar dy vitet e ardhshme, ndërsa kriza e likuiditetit pritet të nisë që në muajin prill.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte mbështetur planin për përdorimin e aseteve ruse, deklaroi se vendimi final për huanë “dërgon një sinjal të qartë” drejt Moskës. Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk u shpreh se Europa duhet “të ngrihet në lartësinë e momentit”.
Marrëveshja i jep Kievit një frymëmarrje jetike financiare, në një kohë kur përpjekjet diplomatike janë shtuar, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump po shtyn për një marrëveshje të shpejtë që do t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. /rtsh/

