
Rahoveci triumfon në derbi ndaj Kastriotit dhe merr kreun e tabelës
Rahoveci e ka fituar derbin e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në hendboll, në konkurrencë të meshkujve, duke e mposhtur Kastriotin e Ferizajt me rezultat 32:28.
Ndeshja u zhvillua të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, ku vendasit e nisën takimin në mënyrë furioze, duke krijuar shpejt epërsi bindëse 9:2. “Vreshtarët” dominuan pjesën e parë, ndërsa Kastrioti arriti të afrohet vetëm deri në katër gola diferencë. Pas 30 minutave lojë, rezultati ishte 20:14 në favor të Rahovecit.
Edhe pjesa e dytë u zhvillua me të njëjtin ritëm. Rahoveci mbajti epërsinë gjatë gjithë kohës, ndonëse mysafirët u afruan në 25:22. Megjithatë, përvoja e lojtarëve vendas doli në pah në momentet vendimtare, duke rritur sërish diferencën dhe siguruar një fitore të rëndësishme.
Në krye të Rahovecit ishte Egzon Gjuka, i cili realizoi tetë gola, ndërsa u dalluan edhe portieri Arbër Curri me pritje të shumta dhe aloja Lulzim Shabani me shtatë gola. Ardit Tafilaj kontribuoi me pesë gola.
Te Kastrioti, paraqitja shumë e mirë e portierit Wadi Chebbi, i cili priti disa penallti dhe mbajti ekipin në lojë, nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Më efikasi ishte Festim Mustafa me tetë gola, ndërsa Gentrit Brahimi dhe Felippe Teixeira shënuan nga gjashtë gola secili.
Me këtë fitore, Rahoveci ngjitet në vendin e parë të tabelës me 22 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti në pozitën e dytë.

