Hoxha dhe Saipi besojnë në rezultat pozitiv ndaj Suedisë

Hoxha dhe Saipi besojnë në rezultat pozitiv ndaj Suedisë

Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për ndeshjen vendimtare ndaj Suedisë, që zhvillohet të hënën në udhëtim me fillim nga ora 21:00.

Një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje do të kishte vlerë të madhe për “Dardanët”, pasi do t’i mbante gjallë gjasat për t’u kualifikuar në fazën play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kosova të premten mbrëma luajti baras me Slloveninë në ‘Fadil Vokrri’.

Optimizmi në kampin kosovar në prag të duelit me suedezët është i madh.

Mesfushori Veldin Hoxha dhe portieri Amir Saipi janë shprehur të bindur se Kosova mund ta befasojë Suedinë edhe në tokën e saj.

Hoxha, që aktualisht luan për Rubin Kazanin, falënderoi tifozët për mbështetjen e madhe në barazimin ndaj Sllovenisë dhe theksoi se ekipi është i përgatitur për një tjetër sfidë të madhe.

“Luajtëm baras ndaj Sllovenisë, që është ekip shumë i mirë. Kishim disa raste për të shënuar dhe mendoj se rezultati ishte i drejtë. Atmosfera në stadium ishte fantastike dhe na dha shumë energji”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

“Ndeshja ndaj Suedisë do të jetë shumë e vështirë, por e kemi mposhtur në përballjen e parë dhe e dimë si të luajmë ndaj tyre. Do të përgatitemi maksimalisht dhe shpresoj të marrim rezultat pozitiv,” theksoi Hoxha.

Ndërkaq, portieri Amir Saipi theksoi se ekipi do të hyjë pa presion në ndeshjen e së hënës, por me besim të plotë për të marrë rezultat.

“Na mungoi diçka në ndeshjen e fundit, sidomos goli, por jam optimist që ndaj Suedisë do të jetë ndryshe. Ata kanë më shumë presion se ne. Nëse luajmë si ndaj Sllovenisë, mund ta marrim të paktën një pikë. Sigurisht duam fitore, por e rëndësishme është të japim secili 100 për qind”, pohoi Saipi.

Kosova të dielën do të udhëtojë drejt Suedisë, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda do të ketë në dispozicion shumicën e lojtarëve kryesorë.

Share This