
Negociatat e paqes, Zelenskyy zbulon detajet: Po diskutohet ndarja e territoreve dhe fati i centralit bërthamor
Për herë të parë që nga nisja e luftës, bisedimet e paqes po prekin “nervin” më të ndjeshëm të konfliktit: kontrollin territorial. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, konfirmoi të enjten se negociatorët në bisedimet e udhëhequra nga SHBA po përballen me çështjen e zotërimit të territoreve, duke përfshirë të ardhmen e Donbasit dhe të centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, teksa Kievi i ka dorëzuar Uashingtonit një plan me 20 pika, ndërsa Evropa nxiton të mos mbetet jashtë loje përballë presidencës së Donald Trump.
Plani për Donbasin dhe centralin
Sipas Zelenskyy-t, SHBA po përpiqet të mbajë një qëndrim të ekuilibruar, por dokumentet përfundimtare janë ende të paqarta. Megjithatë, dy skenarë konkretë janë hedhur në tryezë janw zona e lirë ekonomike në Donbas. Negociatorët amerikanë kanë propozuar krijimin e një zone të tillë (të cilën Rusia e quan “zonë të demilitarizuar”). Kushti është tërheqja e forcave ukrainase, por Zelenskyy insiston që kjo të ndodhë vetëm nëse edhe rusët tërhiqen në distancë të barabartë.
Menaxhimi i përbashkët i centralit bërthamor. Ndërsa Rusia kërkon të mbajë kontrollin e uzinës së Zaporizhzhia-s (një nga 10 më të mëdhatë në botë), amerikanët kanë sugjeruar një format të përbashkët menaxhimi për ta bërë atë funksional.

Evropa në garë me kohën dhe Trump-in
Urgjenca e bisedimeve diktohet nga Uashingtoni. Presidenti Donald Trump ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë (fillimisht para Ditës së Falënderimeve), duke krijuar ankth në kancelaritë evropiane. Udhëheqësit e Gjermanisë (Merz), Britanisë (Starmer) dhe Francës (Macron) kanë zhvilluar bisedime urgjente me Zelenskyy-n, duke i sugjeruar Trump-it që propozimet finale të paqes të hartohen bashkërisht gjatë kësaj fundjave.
“Jemi në një moment kritik,” thanë liderët evropianë, të cilët druajnë se siguria e kontinentit mund të sakrifikohet për një marrëveshje të shpejtë SHBA-Rusi.
Ndërsa diplomatët flasin për paqe, lufta në terren ka njohur një përshkallëzim gjeografik. Për herë të parë, dronët ukrainas kanë goditur një platformë nafte ruse në Detin Kaspik, rreth 1000 km larg kufirit.
Platforma e kompanisë “Lukoil” u godit katër herë, duke ndërprerë prodhimin nga 20 puse. Njëkohësisht, një sulm masiv me dronë paralizoi për 7 orë aeroportet e Moskës.
Nga ana tjetër, Presidenti Putin u tha gjeneralëve të tij se Rusia “po mban plotësisht iniciativën strategjike”, duke pretenduar marrjen e qytetit kyç të Siverskut në Donetsk – një pretendim që Kievi e ka mohuar kategorikisht.

NATO: Jemi objektivi i radhës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lëshoi një paralajmërim të fortë nga Berlini.
“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë,” tha ai, duke akuzuar Kinën si “litar shpëtimi” që po furnizon makinën ruse të luftës me teknologji kritike. Sipas Rutte, vetëm këtë vit, Rusia ka lëshuar mbi 46,000 dronë dhe raketa mbi Ukrainë. /rtsh/


