Negociatat SHBA-Rusi/Ministri i Jashtëm ukrainas: Do rikthehemi në SHBA për të vazhduar bisedimet

Negociatat SHBA-Rusi/Ministri i Jashtëm ukrainas: Do rikthehemi në SHBA për të vazhduar bisedimet

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha deklaroi sot se delegacioni ukrainas do të kthehet në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar bisedimet e paqes.

Sybiha e bëri këtë koment pas telefonatës mes kreut të delegacionit ukrainas, sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, dhe i dërguarit special amerikan Steve Ëitkoff.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Sybiha tha se “meqenëse ishte një bisedë telefonike, për arsye sigurie, është e vështirë të imagjinohet se detajet e kësaj mbledhjeje janë diskutuar. Përfaqësuesit e delegacionit amerikan thanë se, sipas vlerësimit të tyre, bisedimet në Moskë ishin të rëndësishme për procesin e paqes dhe ftuan delegacionin ukrainas për të vazhduar diskutimet tona në SHBA së shpejti.”

Sybiha shtoi se kreu i delegacionit ukrainas ka vazhduar konsultimet me partnerët nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca për të koordinuar përpjekjet dhe për të vlerësuar përparimin e arritur.

“Ne vërtet kemi përparim nga Gjeneva, pastaj në Majemi… në procesin e paqes, pasi tani po punojmë me dokumentin 20-pikësh të zhvilluar në Gjenevë. Dua t’ju konfirmoj se delegacioni amerikan i ka dëgjuar kërkesat e delegacionit ukrainas dhe dokumenti është në proces e sipër” tha ai.

Po ashtu, Sybiha pranoi se “po, disa çështje shumë të ndjeshme janë lënë mes kllapa dhe janë lënë për vendimmarrjen e liderëve.

Deklaratat e tij erdhën pas një raunde negociatash gati pesë orëshe mes Putinit, një delegacioni të lartë ndihmësve të Kremlinit, Ëitkoff dhe Jared Kushner në Moskë të martën.

Duke dalë nga bisedimet maratone, ndihmësi i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, tha se “nuk është arritur një plan kompromisi” dhe se “do të ketë shumë punë” përpara për të arritur në një zgjidhje.

Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio sinjalizoi një optimizëm të kujdesshëm për përparimin e bisedimeve. /rtsh/

Share This