
Trump: Po përpiqem të zgjidh luftën Rusi-Ukrainë, nuk është situatë e lehtë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar angazhimin e administratës së tij për të përfunduar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke theksuar se kjo nuk është një situatë e lehtë.
Ai e bëri këtë deklaratë të martën, më 2 dhjetor, gjatë takimit të kabinetit të tij.
“Po përpiqemi ta zgjidhim atë. Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të jetë e nënta dhe njerëzit tanë janë aktualisht në Rusi për të parë nëse mund ta zgjidhim. Nuk është një situatë e lehtë”, tha Trump.
Ai përsëriti se kjo luftë kurrë nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte zgjedhur president në vitin 2020.
Gjithashtu, Trump shprehu zhgënjimin se nuk ka marrë “Çmimin Nobel të Paqes” për “përfundimin” e tetë luftërave të mëparshme.
“Duhet të marr Çmimin Nobel për çdo luftë, por nuk dua. Nuk dua të jem lakmitar”, shtoi presidenti amerikan.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat ndërkombëtare, Trump ka folur për negociatat e vazhdueshme në Moskë, ku i dërguari i tij special, Steve Witkoff, bashkë me dhëndrin e tij, Jared Kushner, po takohen me Presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar një plan paqeje të hershëm.
Trump theksoi se SHBA-ja nuk po financon më krizën ukrainase dhe po përpiqet ta përfundojë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Dublin, e përshkroi situatën diplomatike si “njërën nga momentet më të vështira, por edhe më optimiste”, dhe shprehu gatishmërinë për të takuar përfaqësuesit amerikanë së shpejti. /rtsh/

