Maqedonci: Siguria kibernetike është investim strategjik për të ardhmen e vendit

Maqedonci: Siguria kibernetike është investim strategjik për të ardhmen e vendit

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në panelin me temën “Impakti financiar i Sigurisë Kibernetike – investim apo shpenzim i domosdoshëm”, një diskutim që trajton një nga çështjet më aktuale të kohës digjitale – sigurinë kibernetike si pjesë e luftës hibride dhe kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar se siguria kibernetike nuk duhet parë vetëm si shpenzim, por si investim strategjik që garanton mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ruajtjen e të dhënave, funksionimin e institucioneve dhe besimin publik në sistemet digjitale të vendit.

“Duke e konsideruar sigurinë kibernetike si kërcënim real dhe permanent, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka ndërmarrë hapa konkretë drejt forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Siguria kibernetike është përfshirë si pjesë integrale në Strategjinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si dhe në Strategjinë për Mbrojtje Kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka kujtuar se në mars të vitit të kaluar është themeluar Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike, si dhe është formuar Njësia Kibernetike në kuadër të FSK-së, dy nisma që dëshmojnë përkushtimin institucional për ndërtimin e kapaciteteve profesionale, teknike dhe operacionale në mbrojtjen e hapësirës digjitale të vendit.

Sipas ministrit në detyrë, forcimi i sigurisë kibernetike është një domosdoshmëri kombëtare, që garanton një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të mbrojtur për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Share This