
Merr fund ngërçi 43-ditor, presidenti Trump nënshkruan projektligjin për rihapjen e qeverisë amerikane
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar projektligjin e përkohshëm të shpenzimeve, duke i dhënë fund mbylljes 43-ditore të qeverisë federale, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ligji u miratua pas një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve me rezultatin 222 pro dhe 209 kundër, dy ditë pasi kaloi me diferencë të ngushtë në Senat.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se qeveria “do të rifillojë operacionet normale”, duke pranuar se “njerëzit u lënduan keq” gjatë periudhës së mbylljes.
Rreth 1.4 milion punonjës federalë kanë qenë në leje të papaguar ose kanë punuar pa kompensim që nga tetori, ndërsa shumë shërbime publike, përfshirë ndihmën ushqimore dhe trafikun ajror, janë pezulluar. Administrata Federale e Aviacionit pritet të rikthejë funksionimin e plotë në ditët e ardhshme, përpara festës së Falënderimeve.
Projektligji siguron fonde vetëm deri më 30 janar, duke lënë Kongresin përpara një tjetër afati për financimin e qeverisë. Para nënshkrimit, Trump fajësoi demokratët për mbylljen, duke i akuzuar se “e bënë për arsye politike”.
Kriza legjislative nisi pasi demokratët në Senat, ndonëse në pakicë, refuzuan fillimisht të mbështesnin projektligjin pa marrë garanci për zgjatjen e subvencioneve të sigurimeve shëndetësore për familjet me të ardhura të ulëta. Marrëveshja u arrit vetëm pasi tetë senatorë demokratë pranuan të votojnë pro, në këmbim të një zotimi për votim mbi çështjen e kujdesit shëndetësor në dhjetor, lëvizje që shkaktoi kritika brenda vetë partisë, përfshirë nga Hakeem Jeffries dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Ndërkohë, pengesat në transportin ajror dhe udhëtimet e ligjvënësve drejt Uashingtonit për votim, treguan pasojat e drejtpërdrejta të mbylljes më të gjatë në historinë moderne të SHBA-së. /rtsh/


