Shqipëria hap grup-kapitullin e 5 të negociatave me BE-në më 17 nëntor, Rama: Rekord absolut! I hapim të gjitha brenda 12 muajsh

Shqipëria hap grup-kapitullin e 5 të negociatave me BE-në më 17 nëntor, Rama: Rekord absolut! I hapim të gjitha brenda 12 muajsh

Shqipëria do të hapë zyrtarisht më 17 nëntor 2025 kapitullin e pestë të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me “Burimet, Agrikulturën dhe Politikën e Kohezionit”, ku do të zhvillohet edhe konferenca e radhës ndërqeveritare me BE-në.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një arritje historike për vendin dhe rekord absolut me hapjen e të gjitha kapitujve brenda 12 muajsh.

“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane. Asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se, pavarësisht vështirësive dhe pengesave, vendi po ecën me hapa të qëndrueshëm drejt integrimit europian, duke përmendur edhe disa prej arritjeve ekonomike të qeverisë.

“Përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë, me një ekonomi që po rritet; me pensionet që po rriten; me pagën minimale që po rritet; me pagat e tjera që po rriten;  me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po rritet; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar hap pas hapi punën e institucioneve të shtetit”, shkruan Rama.

“Shqipëria punon dhe fiton përditë e më shumë respekt,” përfundoi Rama, duke nënvizuar vendosmërinë për ta çuar procesin e integrimit drejt përfundimit deri në vitin 2027. /rtsh/

Share This